Gazeta Ekonomia

kupto ekonominë

Qeveria vazhdon të mos i ketë numrat, për të gjashtën herë dështon miratimi i Projektligjit për Rimëkëmbje

Për të gjashtën herë, deputetët e Kuvendit të Kosovës, kanë dështuar që ta votojnë Projektligjin për Rimëkëmbjen Ekonomike nga pandemia COVID-19.

Në seancën e fundit morën pjesë në votim vetëm 58 deputetë.

Ky Projektligj, po ashtu nuk kishte marrë votat në lexim të parë as në muajin gusht, pasi Lëvizja Vetëvendosje dhe Partia Demokratike e Kosovës refuzuan ta votojnë ndonëse ministrja e Financave, Hykmete Bajrami bëri thirrje për votimin e tij.

Shumica e bizneseve në Kosovë, gati në të gjithë sektorët, kanë raportuar vlera të mëdha të humbjeve financiare dhe zvogëlim të kapaciteteve prodhuese, nga masat e marra nga qeveria më 13 mars për parandalimin e pandemisë.

Për të ndihmuar sektorin privat, Qeveria e Kosovës më 28 shtator, ka ndarë rreth 87 milionë euro për bizneset private, për t’i rikuperuar humbjet që kanë pësuar nga pandemia COVID-19, për qytetarët në nevojë, për disa ministri dhe të tjera.

Nga kjo vlerë, 60 milionë euro u ndanë për bizneset, të cilat do të përfitojnë varësisht nga numri i punëtorëve që kanë pasur të regjistruar në muajin dhjetor të vitit 2019.

Përfaqësuesit e bizneseve në vazhdimësi u kanë bërë thirrje autoriteteve të Kosovës që sa më shpejt të ndihmojnë në rimëkëmbjen ekonomike, pasi që çdo vonesë, sipas tyre, do të sillte probleme më të mëdha për bizneset dhe rrezik të falimentimit të tyre.

Me anë të këtij Projektligji parashihet zbatimin e Pakos së Rimëkëmbjes Ekonomike në vlerë prej 365 milionë euro.