Gazeta Ekonomia

kupto ekonominë

Rubla ruse nën presionin e pandemisë COVID-19, naftës dhe Putinit

Rubla ruse përfundoi muajin shtator në vlerën më të ulët në pesë vitet e fundit ndaj vlerës euro.

Po ashtu, kjo valutë u zhvlerësua dhe ndaj dollarit amerikan, që është vlera më e dobët prej muajit mars 2020, kur çmimet e naftës u ndikuan nga kërkesa për të.

“Fakti që rubla ka rënë me 20 për qind ose edhe më shumë se kaq për këtë vit, është për shkak të situatës politike. Edhe rënia e çmimeve të naftës që ndodhi në muajin shkurt u nxit nga politika”, tha ekonomisti rus Yevgeny Gontmakher.

Ka shumë faktorë që ndikojnë në trendin rënës të rublës, duke përfshirë ndikimin e pandemisë COVID-19, nervozizmi në të gjithë botën përreth zgjedhjeve presidenciale në Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe një rënie e ndjeshme e të ardhurave të Moskës nga eksporti i naftës dhe gazit.

Në ditët e fundit, rënia është përkeqësuar nga shpërthimi i luftimeve midis Armenisë dhe Azerbajxhanit për rajonin e diskutueshëm Nagorni-Karabak.

“Megjithëse vetë konflikti i Nagorni-Karabakut mund të mos ketë pasoja të thella për Rusinë, ai ka demaskuar disi ankthin në rritje për një valë të dytë për karantinë”, thuhet në një analizë të Alfa Bank.

Por problemi i vërtetë i çështjes, sipas Gontmakherit, janë politikat e qeverisë së presidentit Vladimir Putin, i cili në fillim të këtij viti nxiti një paketë kontroverse për ndryshimet kushtetuese që, ndër të tjera, i hapën rrugën atij që të qëndroj në pozitën e presidentit deri në vitin 2036.

“Me propagandën e tyre, ata po përpiqen të zhvendosin fajin te amerikanët ose evropianët. Në realitet burimi kryesor i këtyre problemeve janë politikat tona. Të paktën na duhet një politikë e jashtme tjetër. Sa i përket politikës së brendshme – kjo është një histori krejt tjetër”, tha Gontmakher.

Edhe analiza e Alfa Bank e ka potencuar të njëjtën pikë.

“Rënia e fundit e rublës nuk është një përgjigje ndaj një përkeqësimi të bazave, por një reflektim i rritjes së rrezikut gjeopolitik”, thuhet në analizë.

Pasiguria mbi sanksionet

Gjatë gjithë muajit shtator, televizioni shtetëror rënien e vlerës së rublës e ka lidhur me pasigurinë e shkaktuar nga sanksionet ndërkombëtare të vendosura ndaj Rusisë.

Sidoqoftë, moderatorët në televizion nuk përmendën kurrë se vendosja e sanksioneve të reja buron nga helmimi i 20 gushtit të politikanit opozitar Aleksei Navalny, për të cilin mjekët që e trajtuan atë në Gjermani besojnë se ai ishte helmuar nga një agjent nervor i njohur si Novichok, i cili ishte zhvilluar në kohën e Bashkimit Sovjetik.

Gontmakher pajtohet që rënia e fundit në vlerën e monedhës ruse është shkaktuar kryesisht nga shqetësimet e tilla.

“Një kontribut i madh në zhvlerësimin e shpejtë të rublës u ndikuar nga çështja Navalny. Sigurisht, biznesi rus po pret sanksione të reja. Dhe gjërat me të vërtetë sapo kanë filluar. Ne e dimë se ai [Navalny] do të kthehet në Rusi dhe se do të vazhdojë aktivitetin e tij dhe masat kundër tij do të vazhdojnë”, tha Gontmakher për shërbimin rus të Radios Evropa e Lirë, përcjell Telegrafi.

Ekonomisti Igor Nikolayev pajtohet, duke shtuar se veçanërisht investitorët janë të shqetësuar në lidhje me mundësinë e vendosjes së sanksioneve ndaj tubacionit të gazit “Nord Stream 2”.

“Nëse ka një intensifikim të vendosjes së sanksioneve ndaj Rusisë, duke përfshirë disa që prekin drejtpërdrejt të ardhurat e eksportit, kjo do të jetë një goditje për rublën”, tha Nikolayev.

Ai thotë se presioni mbi rublën u rrit kur Banka Qendrore në muajin korrik uli normën bazë të interesit me 4.25 për qind, duke bërë që investitorët të shmangin bonot e rublës, kështu duke ulur vlerën e saj.

“Kjo normë interesi nuk ka qenë kurrë më parë në një nivel kaq të ulët. Dobësimi i rublës filloi nga vetë autoritetet, sepse ishte i dobishëm për ta për shkak të deficitit buxhetor”, tha ai.

Zëvendësministri rus i Financave, Vladimir Kolyçev, në muajin korrik i tha Reutersit se deficiti buxhetor gjatë vitit 2020 mund të arrijë 5 për qind të Prodhimit të Brendshëm Bruto.

“Ne kemi parë se si të ardhurat nga eksporti këtë vit janë ulur në mënyrë katastrofale, por qeveria ende ka nevojë të përmbushë detyrimet e saj, përveç masave të saj anti-krizë. Por helmimi i Navalnyt ishte diçka që Banka e Rusisë nuk e kishte llogaritur dhe presioni mbi rublën u rrit. Si rezultat, situata doli jashtë kontrollit dhe tani qeveria duhet të bëjë diçka tjetër. Pra, po shet më shumë rezerva në valutë të huaj”, tha Nikolayev.

Politikani i opozitës Leonid Gozman i sheh problemet me rublën si pjesë e një padie më të gjerë për pushtetin e Putinit.

“Gjithçka po shkon keq për bosët tanë. Jo vetëm rubla. Bjellorusia po shkon keq. Marrëdhëniet ndërkombëtare në përgjithësi po shkojnë keq. Dhe të gjitha këto gjëra kanë një rrënjë të përbashkët. Ato janë pasojë e mungesës së thellë të besimit në qeverinë tonë. Mjafton që ministri i Financave të thotë se rubla është e qëndrueshme dhe nuk ka pse të shqetësohemi. Nëse ai thotë se rubla është e qëndrueshme, kjo do të thotë se po shembet. Nuk është e mundur të funksionosh me një nivel kaq të ulët besimi. Unë mendoj se autoritetet kanë bërë gjithçka në mënyrë të përsosur për të krijuar një situatë në të cilën ne nuk besojmë asgjë”, tha Gozman.

Ekonomisti Nikolayev jep paralajmërime të rënda mbi gjendjen aktuale të ekonomisë ruse.

“Të ardhurat reale në tremujorin e dytë të këtij viti ranë me 8 për qind, një rënie katastrofale. Qeveria ka shtyrë deri në vitin 2030 qëllimet kombëtare që vendosi në vitin 2018 dhe pritet të arrihen deri në vitin 2024. Tashmë është e qartë se qëllimet nuk do të arrihen, kështu që afati u zhvendos me gjashtë vjet. Kjo është, ka rritje të brendshme të pakënaqësisë, për të thënë të paktën, mbi ekonominë. Kam ndjenjën se kjo do t’i bëjë autoritetet gjithnjë e më nervozë dhe rreziku i një goditje të brendshme po bëhet më i madh”, përfundoi Nikolayev. /REL/