Gazeta Ekonomia

kupto ekonominë

Shpallen fituesit e Nobelit për Ekonomi, fitojnë dy amerikanë për kontributin në Teorinë e Ankandeve

Ekonomistët amerikanë, Paul Milgrom dhe Robert Wilson, fituan Çmimin Nobel për Ekonomi për vitin 2020.

Ata u shpërblyen në lidhje me përmirësimet në Teorinë e Ankandit.

“Ankandet janë kudo dhe ndikojnë në jetën tonë të përditshme. Laureatët e këtij viti, Paul Milgrom dhe Robert Wilson, kanë përmirësuar teorinë e ankandit dhe kanë shpikur formate të reja ankandi, duke përfituar shitësit, blerësit dhe taksapaguesit në të gjithë botën”, thuhet në njoftimin e Komitetit të Çmimit Nobel, përcjell Telegrafi.

Teoria e Ankandeve është një degë e ekonomisë së zbatuar që merret me mënyrën sesi sillen njerëzit në tregjet e ankandeve dhe kryen kërkime në fushën e tregjeve të ankandeve. Teoria ndihmon në informimin dhe organizimin e ankandeve, sidomos për ato në privatizimin e kompanive shtetërore ose në shitjen e licencave për përdorim në fushën e elektromagnetikës.

Ky është shpërblimi i gjashtë që ndahet nga Komiteti i Nobelit këtë vit.

Ceremonia tradicionale e fituesve që zakonisht ndahet në dhjetor është anuluar dhe disa organizime po mbahen në formën online për të shmangur rrezikun e përhapjes së COVID-19.

Çmimi në ekonomi njihet zyrtarisht si çmimi “Sveriges Riksbank”. U dha për herë të parë nga Banka Qendrore e Suedisë në vitin 1969, në nderim të industrialistit Alfred Nobel.

Në vitin 2019, çmimi iu dha Abhijit Banerjee, Esther Duflo dhe Michael Kremer, për punën e tyre në lehtësimin e varfërisë botërore.