Gazeta Ekonomia

kupto ekonominë

Shqipëria, e katërta në Evropë për rritjen e çmimeve gjatë muajit tetor

Shqipëria u rendit e katërta në Evropë për Rritjen e Përgjithshme të Çmimeve në muajin tetor.

Ndryshimi vjetor i matur nga Indeksi i Harmonizuar i Çmimeve të Konsumit për këtë muaj është 2.9 për qind.

Rritja më e madhe e çmimeve prej 6.6 për qind vërehet në grupin ushqime dhe pije joalkoolike, pasuar nga grupet transporti me 3.4 për qind, pije alkoolike dhe duhan me 1.5 për qind, mallra dhe shërbime të ndryshme me 1.1 për qind, mobilim, pajisje shtëpie dhe mirëmbajtje me 0.6 për qind, hotele, kafene dhe restorante me 0.5 për qind, komunikimi me 0.4 për qind, qira, ujë, lëndë djegëse dhe energji me 0.3 për qind dhe argëtim dhe kulturë me 0.1 për qind.

Nga ana tjetër, çmimet e grupit veshje dhe këpucë u ulën me 0.7 për qind, pasuar nga grupet shëndeti dhe shërbimi arsimor me 0.1 për qind secili.

Në muajin tetor 2020, ndryshimi mujor i matur nga Indeksi i Harmonizuar i Çmimeve të Konsumit është 0.3 për qind. Ky ndryshim është ndikuar kryesisht nga rritja e çmimeve të grupit ushqime dhe pije joalkoolike me 0.8 për qind, pasuar nga grupet veshje dhe këpucë me 0.3 për qind, mobilim dhe pajisje shtëpie e mirëmbajtje me 0.2 për qind. Nga ana tjetër çmimet e grupit argëtim dhe kulturë u ulën me 0.3 për qind, pasuar nga grupet transporti me 0.2 për qind, pije alkoolike e duhan dhe shëndeti me 0.1 për qind secili.

Inflacioni i Eurozonës matet mbi bazën e treguesit të IHÇK-së. Termi “i harmonizuar” nënvizon faktin që të gjitha vendet e Bashkimit Evropian zbatojnë të njëjtën metodologji në matjen e treguesit përkatës.

Ndryshimet e kontributit nga një tregues në tjetrin lidhen me faktin se kompozimi i peshave të mallrave brenda grupit ushqime dhe pije joalkoolike është i ndryshëm nga një tregues në tjetrin.

Kështu, brenda këtij grupi, nëngrupi fruta e perime, ka një peshë më të madhe te shporta e IHÇK-së me 12.84 për qind e shportës totale, sesa tek ajo e IÇK-së me 8.44 për qind e totalit.

Për shkak të këtij ndryshimi, kontributi i këtij grupi mallrash te totali është i barabartë me 2.5 pikë përqindje në rastin e treguesit IHÇK dhe me 1.2 pikë përqindje në rastin e IÇK-së. Ndryshime të vogla në kontribute vihen re edhe në disa grupe të tjera, por jo në madhësinë e ndryshimit të rastit të mësipërm.

Në përfundim, nëngrupi fruta e perime, ka krijuar 1.3 pikë përqindje ose më shumë se 80 për qind të diferencës së inflacionit të matur sipas dy treguesve me 3.84 për qind kundrejt 2.38 për qind.

Zërat e shportave përkatëse në rastin e Shqipërisë. IÇK-ja përmban 332 zëra, IHÇK-ja përmban 331 zëra, ku qiraja e imputuar nuk është element i shportës.

IÇK-ja mbulon vetëm shpenzimet familjare private shqiptare të kryera, brenda territorit të vendit.

Burimi kryesor i të dhënave për shpenzimet është Anketa e Buxhetit të Familjeve (ABF). IHÇK-ja mbulon të gjitha shpenzimet e kryera brenda territorit të vendit nga familjet shqiptare, si dhe shpenzimet e vizitorëve rezidentë dhe jorezidentë. Burimi kryesor i të dhënave për shpenzimet janë Llogaritë Kombëtare “Shpenzimet Monetare të Konsumit Final të Familjeve (HFMCE)”. /Monitor/