Gazeta Ekonomia

kupto ekonominë

Shqipëria miraton Ligjin për përdorimit e Kriptovalutave

Me 88 vota për, 16 kundër dhe tri abstenim, Kuvendi i Shqipërisë ka miratuar Ligjin për Tregjet Financiare të Bazuara në Teknologjinë e Regjistrave të Shpërndarë, i njohur ndryshe Ligji për Kriptovalutat.

Ligji i propozuar nga Ministria e Financave, ka të bëjë me rregullimin e tregut të monedhave dixhitale dhe virtuale, duke nisur nga licencimi i subjekteve që do të ushtrojë një aktivitet të tillë dhe deri tek kushtet e tregtimit të kësaj monedhe.

Ligji është një iniciativë e politikave të brendshme të qeverisë dhe nuk vjen si direktivë e Bashkimit Evropian dhe sipas konkluzioneve të qeverisë shqiptare, ku aplikimi i kësaj monedhe pritet të sjellë përfitime për ekonominë e vendit.

Kjo synohet të arrihet përmes “burimeve alternative të financimit” si dhe tërheqjen e investitorëve të huaj. Por gjithashtu shihet se Shqipëria mund të ketë një përfitim të madh sa i takon transferimit të remitancave, duke shmangur kështu koston e transfertave.

Në vendim thuhet se, zbatimi dhe monitorimi kryhen nga Autoriteti i Mbikëqyrjes Financiare dhe Agjencia Kombëtare e Shoqërisë së Informacionit.

Aktualisht, tregu i aktiveve virtuale arrin në rreth 130 miliardë dollarë, në terma kapitalizimi, si dhe ekzistojnë rreth dy mijë aktive virtuale të ndryshme.

Sipas një studimi mbi 70 për qind e tyre është e lidhur me raste mashtrimi apo skemas piramidale, të gjitha këto raste janë rrjedhojë e faktit që në shumicën e vendeve të botës ky aktivitet është i parregulluar.

Miratimi i një ligji të tillë nga Shqipëria vjen në një kohë kur kjo fushë paraqet ende shumë risqe dhe ende nuk lejohet nga shumica e vendeve në botë. Disa nga risqet kryesore janë krijimi i skemave mashtruese apo skemave të pa autorizuara, rreziku i përdorimit të aktiveve virutale për të pastruar para, si dhe manipulimi i tregut.

Bashkimi Evropian nuk ka një legjislacion rregullues që formalizon dhe aktualisht janë tre vende të cilat kanë zhvilluar një legjislacion dhe kuadër rregullator lidhur me monedhën virtuale. Vendi i parë që ka miratuar një ligj të tillë është Malta, ndërsa dhe parlamenti i Lihtenshtejnit ka miratuar Ligjin për Blockchainin, ndërsa Franca ka miratuar ligjin dhe po ndërmerr një strategji për zhvillimin e teknologjisë blockchain.

Ky Ligj pavarësisht miratimit në Kuvend, do të hyjë në fuqi më 1 shtator 2020, pasi gjatë muajve të mbetura pritet miratimi i akteve nënligjore dhe akteve rregullatorë. /Euronews.al/