Gazeta Ekonomia

kupto ekonominë

Shqipërinë e vizituan mbi 3.5 milionë turistë më pak

Kufizimi i lëvizjeve për shkak të pandemisë COVID-19 ka ndikuar ndjeshëm në hyrjen e shtetasve të huaj dhe daljen e shqiptarëve, duke ndikuar sidomos negativisht turizmin në vend.

Sipas INSTAT, numri i shtetasve të huaj të hyrë në Shqipëri në 11-mujorin e 2020-së është 2 milionë e 477 mijë e 003, duke rënë me 59.5 për qind, në krahasim me të njëjtën periudhë të vitit 2019.

Në total janë 3.64 milionë shtetas të huaj më pak, në krahasim me 11-mujorin 2019.

Përgjatë njëmbëdhjetë muajve të 2020, Kosova ka rënien më të ulët të hyrjeve të shtetasve në Shqipëri me 40.4 për qind, ndërsa rënien më të madhe e ka pasur Spanja me 90.7 për qind,krahasuar me të njëjtën periudhë të vitit 2019.

Hyrjet e shtetasve shqiptarë dhe të huaj në territorin shqiptar, në muajin nëntor 2020, janë 360,343. Krahasuar me nëntorin e 2019-së, ky tregues rezulton me rënie 48.1 për qind.

Në muajin nëntor 2020, hyrjet e shtetasve të huaj në territorin shqiptar janë 148,362, krahasuar me nëntorin e 2019-së, ky numër ka rënë me 44.7 për qind.

Në nëntor edhe shtetasit nga Kosova kanë shënuar një rënie të lehtë, me 5.9 për qind, ndryshe nga shtatori dhe tetori kur hyrjet e shtetasve nga Kosova njohën një rritje dy shifrore. Por rritje të fortë në nëntor shënuan shtetasit nga Maqedonia e Veriut, që ishin 29 për qind më shumë se i njëjti muaj i një viti më parë.

Ndërsa kanë shënuar rënie të thellë hyrjet e shtetasve në nëntor nga Greqia me 89 për qind, pas problemeve e vonesave në kufirin grek, nga Italia me 72 për qind, nga Spanja me 93 për qind dhe nga Polonia me 82 për qind.

Për shkak të rënies së lartë të hyrjes së shtetasve të huaj gjatë këtij viti nga kufizimet e pandemisë, është rritur pesha e turistëve nga Kosova. Për 11-mujorin 2020, hyrjet e shtetasve nga Kosova përbënin 52 për qind të totalit nga 35 për qind që ishte kjo peshë për të njëjtën periudhë të një viti më parë.

Edhe udhëtimet e shqiptarëve jashtë kanë qenë shumë të kufizuara, me 2.7 milionë shtetas nga Shqipëria që kanë dalë jashtë vendit për 11-mujorin, në krahasim me janar-nëntor 2019.

Sipas INSTAT, Daljet e shtetasve shqiptarë dhe të huaj nga territori shqiptar, gjatë muajit nëntor 2020, janë 366,335 duke shënuar një rënie me 53.5 për qind, krahasuar me të njëjtën periudhë të një viti më parë. Daljet e shtetasve shqiptarë nga territori i Shqipërisë gjatë muajit nëntor2020 janë 208,183. Krahasuar me muajin nëntor 2019, ky numër ka rënë 56.6 për qind.

Daljet e shtetasve të huaj nga territori i Shqipërisë gjatë muajit nëntor 2020, janë 158,152. Krahasuar me nëntor 2019, ky numër ka rënë 48.5 për qind. Numri i shtetasve shqiptarë të dalë nga Shqipëria në 11-mujorin 2020, është 2 milionë e 691 mijë e 130 duke rënë 50.5 për qind krahasuar me të njëjtën periudhë të një viti më parë. /Monitor/