Gazeta Ekonomia

kupto ekonominë

Shqiptarët më të varfrit në rajon – 64 për qind e tyre nuk mund të shkojnë në pushime

Një anketë e Këshillit për Bashkëpunim Rajonal i nxori shqiptarët si popullin me pamundësitë më të mëdha për të paguar faturat mujore të rrymës dhe ujit, pagesën e qirasë, sigurimin e ushqimeve të nevojshme, ngrohjen e shtëpive dhe kalimin e pushimeve një javë jashtë vendit, ndër pesë vende të tjera të rajonit, si Serbia, Bosnja e Hercegovina, Kosova, Maqedonia e Veriut dhe Mali i ZI.

Anketa gjeti se 26 për qind e qytetarëve në vitin 2019, nuk kishin mundësi të paguanin faturat e rrymës dhe të ujit. Kjo ishte përqindja më e madhe në rajon, ku vetëm 10 për qind e boshnjakeve kanë pohuar vështirësi në pagesën e tyre, 19 për qind e qytetarëve nga Kosova, 20 për qind e maqedonasve, 19 për qind e qytetarëve të Malit të Zi dhe 17 për qind e serbeve.

Shqiptarët ishin më përqindjen e më të lartë të pamundësisë për të paguar huatë, ku 16 për qind e të pyeturve kanë pohuar se nuk kanë pasur mundësi të kryejnë pagesën, në raport me 9 për qind të boshnjakëve, 14 për qind e shtetasve nga Kosova, 13 për qind e maqedonasve, 14 për qind e malazezëve dhe 7 për qind për qind të serbëve.

Mungesa e standardeve në banesave, ngrohja e shtrenjtë me energji dhe të ardhurat e ulëta privojnë gati gjysmën e shqiptarëve të kenë qasje në ngrohjen e banesave.

Anketa “Barometri për Ballkanin” gjeti se në vitin 2019, gati gjysma e shqiptarëve, 42 për qind e tyre nuk kishin mundësi të siguronin ngrohje për banesën, ndryshe nga vendet e tjera të rajonit ku kjo përqindje ishte shumë e vogël. Vetëm 9 për qind e boshnjakëve nuk kishin mundësi të siguronin ngrohje për banesën 11 për qind e shtetasve nga Kosova, 16 për qind e maqedonasve, 17 për qind e malazezëve dhe 11 për qind e serbëve.

Shqiptarët gjithashtu kishin përqindjen më të lartë në rajon për pamundësinë për të siguruar ushqimet dhe veshjet e nevojshme për familjen. 19 për qind e qytetarëve të vendit tonë pohuan se nuk kishin mundësi të siguronin këto furnizimeve jetike. Në Bosnjë e Hercegovinë vetëm 7 për qind e qytetarëve nuk kishin mundësi të siguronin ushqime dhe rroba, 12 për qind e shtetasve nga Kosova, 11 për qind e maqedonasve, 13 për qind e malazezëve dhe 10 për qind e serbëve nuk kishin mundësi të siguronin ushqime dhe rroba për familjen.

Pyetjes “A jeni përballur me paaftësi për të përballuar të paktën një javë pushime larg nga shtëpia (nëse doni) gjatë 12 muajve të kaluar?”, rreth 645 e shqiptarëve i janë përgjigjur “po”, që sërish është përqindja më e lartë në rajon. Në përgjithësi, për këtë pyetje, të gjithë vendet e rajonit kanë shprehur pamundësinë për të bërë pushime, ku pas Shqipërisë renditet Mali i Zi me 48 për qind, Maqedonia e Veriut me 46 për qind, Serbia me 40 për qind, Bosnja e Hercegovina me 35 për qind.

Në rajon, më lehtë i përballojnë pushimet shtetasit nga Kosova, me vetëm 28 për qind të totalit, që pohojnë që nuk bëjnë pushime. Kosova ka si destinacion kryesor për të kaluar pushime Shqipërinë. /Monitor/