Gazeta Ekonomia

kupto ekonominë

Shtetet e Bashkuara synojnë rihapjen graduale të ekonomisë

Në Shtetet e Bashkuara ku lakorja e të infektuarve dhe viktimave nga COVID-19, duket se është duke u rrafshuar, autoritetet paralajmëruan se mund të nisin lehtësimin e masave të izolimit.

Presidenti Donald Trump tha se do të bëjë publike një task-forcë që do të punojë për rihapjen e ekonomisë amerikane.

Duke folur në një konferencë për media në Shtëpinë e Bardhë, Trump tha se do të njoftojë brenda ditësh se kur dëshiron të rihapë vendin, ndërsa shtoi se kufizimet e udhëtimit me Evropën do të hiqen “në kohën e duhur”.

Mbi 17 milionë njerëz kanë humbur vendet e punës në SHBA gjatë tri javëve të kaluara, për shkak të mbylljes së bizneseve, kufizimeve në udhëtim dhe masave të tjera që janë ndërmarrë për luftimin e Coronavirusit.

Deri mbrëmjen e së hënës, numri i viktimave nga Coronavirusi në SHBA ka qenë mbi 23,200, ndërsa i të infektuarve mbi 682 mijë.

Gjashtë qeveri shtetesh në SHBA-në verilindore gjithashtu paralajmëruan se do të formojnë panele rajonale për heqjen graduale të masave të izolimit.

Andrew Cuomo, guvernator i Nju Jorkut – shtetit më të prekur nga Coronavirusi – tha se rihapja e bizneseve do të kërkojë një “ekuilibër delikat”.

“Askush nuk ka qenë këtu më parë, askush nuk i ka të gjitha përgjigjet”, tha Cuomo, duke shtuar se, “adresimi i shëndetit publik dhe i ekonomisë janë dy shqetësimet kryesore”.

Autoritetet shëndetësore paralajmëruan se heqja e shpejtë e kufizimeve mund të nxisë një valë të re të infektimeve me Coronavirus, ndërsa rekomanduan rritjen e numrit të testimeve për të përcaktuar se kush mund të jetë bartës i virusit.

Ato po ashtu kërkojnë nga publiku që të vazhdojë praktikën e distancimit fizik, pastrimit të rregullt të duarve dhe mbajtjes së maskave mbrojtëse.