Gazeta Ekonomia

kupto ekonominë

Shtetet e Bashkuara të Amerikës rivendosin tarifat tregtare ndaj aluminit të papërpunuar kanadez

Presidenti Donald Trump njoftoi se do të rivendosë tarifat prej 10 për qind ndaj produkte kanadeze të aluminit me qëllimin për të mbrojtur industrinë amerikane nga një “rritje” e importeve.

Vendimi ka shkaktuar zemërimin e Otavës zyrtare dhe të disa grupeve amerikane të biznesit.

Lajmin Trump e bëri të ditur gjatë një fjalimi në një fabrikë të makinerive larëse në Ohio duke reklamuar axhendën e tij tregtare “Amerika e para”.

“Ky hap ishte absolutisht i nevojshëm për të mbrojtur industrinë tonë të aluminit”, tha Trump.

Zyra e Përfaqësuesit amerikan të Tregtisë tha se, tarifat prej 10 për qind do të aplikohen ndaj aluminit të papërpunuar, të pastër e të prodhuar në uzinat e shkrirjes. Tarifat nuk do të zbatohen për produktet në fazë tregtimi.

“Disa muaj më parë, Administrata ime u pajtua t’i hiqte këto tarifa në këmbim të një premtimi nga ana e qeverisë kanadeze se industria e saj e aluminit nuk do të vërshonte në vendin tonë me eksporte dhe do të vriste të gjitha punët tona që lidhen me aluminit, dhe ata kanë bërë pikërisht këtë gjë. Prodhuesit kanadezë të aluminit kanë thyer angazhimin e tyre”, shtoi ai.

Kanadaja ka një avantazh natyror në prodhimin e aluminit për shkak të furnizimit të saj të bollshëm me hidroenergji me cmim të lirë.

Një burim i Qeverisë kanadeze tha se vendi do të përgjigjet duke vendosur tarifa hakmarrëse ndaj produkteve amerikane. /Zëri i Amerikës/