Gazeta Ekonomia

kupto ekonominë

Shumë kërkesa për pak vende pune për të diplomuarit – brezi i humbur i pandemisë COVID-19

Situata e punësimit për të diplomuarit e universiteteve është shumë e vështirë në krizën e pandemisë COVID-19. Ata thonë, se dërgojnë pa fund aplikime po e kanë gati të pamundur të gjejnë punë. A është ky brezi i humbur?

Qindra aplikime ka dërguar 24-vjeçari Jordi Battlo nga Barcelona në muajt e fundit.

“Tani kam ndalur së numëruari”, thotë Battlo.

Refuzimet janë kthyer në rutinë për inxhinierin e ekonomisë.

“Kur ndërmarrjet as nuk të marrin konsideratë, kjo më krijon përshtypjen, se gjithçka kam bërë nuk vlen”, shton ai.

Në muajin korrik 2020, ai përfundoi masterin në Business School në Madrid dhe bëri vetëm një praktikë, tani është i papunë.

Jordi bën pjesë tek ata miliona absolventë të rinj në të gjithë Evropën që duhet të kërkojnë vendin e tyre në një treg pune të tejmbushur.

Sipas Zyrës së Statistikave në Bashkimin Evropian, papunësia e të rinjve kap shifrën 17 për qind dhe me këtë është dy herë më e lartë se kuota e përgjithshme e papunësisë. Në muajin tetor 2020, Organizata për Bashkëpunimin Ekonomik dhe Zhvillimin (OECD) paralajmëroi që Evropa rrezikon të lerë mbrapa një brez të gjithë të rinjsh.

“Në vitin e pandemisë jo vetëm që u ndalën punësimet, por edhe u rrit papunësia, një lumë kërkesash përballet me shumë pak vende të hapura pune”, theksojnë ekspertët.

Qindra kilomtra larg Barcelonës në Dublin rri ulur dhomën e fëmijërisë Georgia Burns. Që nga muaji shtatori 2020, kur ajo përfundoi masterin në Menaxhim në University College London ajo ka të njëjtat shqetësime si Jordi Battlo.

“Kur e fillova masterin mendoja, mirë, kur të përfundoj studimet do të gjej punë. Tani erdhi pandemia dhe unë bëj një praktikë me orar të reduktuar me pagesë minimale”, thotë 23-vjeçarja.

Kurse Battlo nga Barcelona beson, se për ata që përfundojnë studimet është bërë gati e paarritshme gjetja e një vendi pune.

“Për çdo vend pune ka dy herë më shumë aplikues se më parë. Madje edhe për punët ku kërkohen fillestarë aplikojnë tani persona me dy ose tre vite përvoje punë”, beson Battlo.

Këtë zhvillim e kanë vënë re edhe punëdhënësit.

“Numri i kërkesave për punë është rritur në mënyrë masive”, shprehet për Deutsche Wellen, Oliver Zischek, drejtues i Departamentit të Burimeve Njerëzore në Deloitte.

Në vjeshtën e vitit 2020, kjo ndërmarrje ka marrë 425 më shumë aplikime se më parë. Kudo në Evropë zyrat e Deloitte përjetojnë një fluks kërkesash.

Vështirësia për gjetjen e një vendi pune dhe kërkimi i vazhdueshëm pa sukses ka pasoja psikologjike. Sipas një sondazhi të Organizatës Botërore të Punës dhe Forumit Evropian për Rininë nga viti 2020, rreth 50 për qind e të rinjve në të gjithë botën tregojnë shenja të frikë dhe depresionit. Edhe 23-vjeçarja Burns nga Dublini e ka të vështirë të ruajë shpresën.

Georgia Burnsin e ndihmojnë tani shëtitjet me miqtë që po ashtu janë në kërkim të punës.

“Të ndihmon kur ke dikë që e kupton se si është puna”, thotë Burnsin.

Ekspertët besojnë, se problemet e brezit të ri do të kenë pasoja afatgjata.

“Mesazhi që ne marrim është që gjithçka do të normalizohet. Por rreziku i një brezi të humbur nuk është i përkohshëm”, thotë Silja Markkula presidente e Forumit Evropian të Rinisë me qendër në Bruksel.

Ajo i trembet faktit që për një kohë të gjatë të ardhurat e të rinjve do të mbeten të ulëta. Edhe optimizmi mund të bjerë.

Esther Jardim nga Londra që i përfundoi studimet në vitin 2009 gjatë krizës botërore financiare ka mirëkuptim për absolventët. Por nëse e shikon historinë e saj, ajo shikon edhe avantazhet që sjell një rënie ekonomike me vete. Kur ajo në vitin 2010 merrte vetëm refuzime të kërkesave për punë, Esther vendosi të bëjë një veprim radikal.

Me një tabelë në gjoks ku shkruhej biografia e saj e punës ajo ecte nëpër lagjen High Holborn. Ky aksion i solli asaj 30 intervista për vende pune dhe një punë në një agjenci të madhe publicitare në Londër.

“Falë medieve sociale gjendja ka ndryshuar. Mediat sociale kanë ndryshuar barrierat. Ju mund t’u shkruani drejt njerëzve të njohur në një firmë”, thotë Jordim. /Deutsche Welle/