Gazeta Ekonomia

kupto ekonominë

Tesla investon 1.5 miliard dollarë në Bitcoin, planifikon ta pranojë kriptovalutën si mjet pagese

Gjiganti amerikan i veturave elektronike Tesla ka investuar 1.5 miliard dollarë në vlerë të Bitcoinit.

Pas këtij investimi, kompania planifikon ta pranojë kriptovalutën si mjet pagese.

Siç njofton Bloomberg, përcjell Telegrafi, menjëherë pas këtij investimi, çmimet e kriptovalutës arritën një vlerë rekorde prej 43 mijë dollarë.

Të dhënat tregojnë, se Bitcoin brenda një jave kishte rritje prej 20 për qind, ndërsa brenda 24-orëve u vlerësua me rreth 10 për qind.

Çmimi i kësaj valute është rritur më shumë se 700 për qind që nga përhapja e pandemisë COVID-19 për herë të parë në muajin mars 2020.

Rritja e kërkesës nga investitorët për kriptovalutën ka nxitur rritjen e vlerës së Bitcoinit në fillim të vitit 2021. Kërkesa u rrit nga mundësia e fitimeve më të shpejta në një botë që aktualisht dominohet me normat negative të interesit.

Aktualisht vlera e tregut e kësaj valute është 1.25 trilion dollarë, ku përbën mbi 60 për qind të tregut të këtyre valutave.