Gazeta Ekonomia

kupto ekonominë

Themeluesi i Zoom humb 20 për qind të pasurisë për shkak të vaksinës kundër COVID-19

Të hënën e kaluar, aksionet në tregje shënuan rritje, pasi gjigantët farmaceutik Pfizer dhe BioNTech njoftuan se, pas shumë eksperimentimeve, vaksina kundër COVID-19 është efikase 90 për qind.

Indeksi i S&P 500 u rrit me 2.2 për qind në një javë që arriti rekordin historik të premten, ndërsa Dow Jones Industrial Average e mbylli javën me rritje të aksioneve me 4.1 për qind.

Megjithatë, jo të gjitha kompanitë, kanë përfituar nga lajmi. Aksionet e shoqërive që lulëzuan më shumë gjatë pandemisë COVID-19, ndër të cilat Facebook, Amazon dhe Zoom, në ato ditë, ranë. Eric Yuan, themelues dhe shef ekzekutiv i Zoom Video Communications, humbi javën e kaluar 4.2 miliardë dollarë ose 20 për qind të pasurisë.

Para njoftimit të Pfizer dhe BioNTech, rritja e Yuan kishte qenë thuajse e pandalshme, pasi Zoom ishte bërë në të vërtetë platforma e takimeve gjatë pandemisë. Kur u shfaq në klasifikimin e miliarderëve të Forbes në prill, pasuria e tij ishte 5.5 miliardë dollarë. Në muajin korrik, pasuria e tij ishte rritur në 11 miliardë. Pas tre muajsh, pasuria u dyfishua sërish në 22 miliardë dollarë.

Tani, pasi njoftimi për vaksinën u hap rrugën rikthimit në zyrë dhe takimeve sociale, aksionet e Zoom ranë me 25 për qind nga e premtja e 6 nëntorit deri të martën e 10 nëntorit. Aksionet rifituan disi terren gjatë javës dhe i zvogëluan humbjet në 19 për qind.

Ndërkohë, aksionet e Amazon gjatë javës ranë me 5.5 për qind, duke e zvogëluar pasurinë e Jeff Bezos me 9.8 miliardë dollarë dhe me 3.4 miliardë dollarë, pasurinë e ish-gruas, MacKenzie Scott. Për fatin e tij të mirë, një javë më parë, Bezos shiti në kohë, 3 miliardë aksione, kur kuotimi i Amazon arriti kulmin pas zgjedhjeve presidenciale amerikane. Forbes vlerëson që, duke llogaritur taksat, fitimi i tij ishte 2.3 miliardë dollarë.

Javën e kaluar, edhe themeluesi dhe shefi ekzekutiv i Facebook, Mark Zuckerberg, shiti aksione në vlerë 17.8 milionë, një lëvizje e pazakontë për të. Këtë javë, kuotimi i shoqërisë ka rënë me 5.6 për qind pas lajmit të vaksinës. Në fillim të pandemisë, numri i përdoruesve aktivë në Facebook u rrit. Pasuria e Zuckerberg sot vlerësohet në 101.7 miliardë, 6 miliardë më pak në harkun e një jave. /Monitor/