Gazeta Ekonomia

kupto ekonominë

Trafiku ajror botëror nuk do të rimëkëmbet nga pandemia COVID-19, të paktën deri në vitin 2024

Trafiku ajror botëror nuk do të rikthehet në nivelet e para pandemisë COVID-19 të paktën deri në vitin 2024 – një vit më vonë se parashikimet e mëparshme. Kështu njofton Shoqata e Transportit Ajror (IATA).

Një nga arsyet kryesore të cituara nga IATA në lidhje me perspektivat më pesimiste është frenimi i ngadaltë i virusit në Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe vendet në zhvillim.

“Edhe pse vendet me ekonomi të zhvilluar jashtë SHBA kanë qenë të suksesshme në kufizimin e përhapjes së virusit, raste të reja me të prekur janë verifikuar ndërkohë në këto vende dhe në Kinë.Për më shumë, ka pak shenja në kufizimin e përhapjes së virusit COVID-19 në shumë vende të rëndësishme në zhvillim, të cilat, së bashku me SHBA, përfaqësojnë 40 për qind të tregjeve botërore të udhëtimeve ajrore”, theksoi IATA.

Shoqata parashikon rënie me 55 për qind në vitin 2020 krahasuar me 2019, duke theksuar se, edhe pse numri i pasagjerëve duhet të rritet në 62 për qind në vitin 2021, do të jetë gjithsesi në rënie me një të tretën krahasuar me 2019.

Për këtë arsye, nuk parashikohet një rimëkëmbje e plotë e numrit të pasagjerëve si në 2019, deri në vitin 2023. Ndër të tjera, duke qenë se tregjet kombëtare po rihapen më shpejt se ato ndërkombëtare, Revenue Passenger Kilometres po e marrin veten edhe më ngadalë, me trafikun e pasagjerëve që mendohet se do t’u rikthehet niveleve të parakrizës në 2024, edhe ky një vit më vonë se parashikimet e mëparshme.

Trafiku ndërkombëtar u tkurr me 96.8 për qind në muajin qershor, krahasuar me të njëjtin muaj një vit më parë.

“Përparimi shkencor në luftën kundër virusit COVID-19, duke përfshirë dhe zhvillimin e një vaksine të suksesshme, mund të ndihmojnë në një rimëkëmbje më të shpejtë. Megjithatë, për momentin, rreziku për tkurrje është më i madh krahasuar me parashikimet e mëparshme”, nënvizoi IATA.

Alexandre de Juniac, drejtues i përgjithshëm dhe i IATA, thotë se trafiku ndërkombëtar përfaqëson dy të tretat e udhëtimeve ajrore botërore në kohëra normale.

“Vera që zakonisht është një sezon biznesi po shfaq pak sinjale rimëkëmbje, pasi shumë vende mbeten të mbyllura apo kanë vendosur karantina vrasëse të kërkesës. Për kompanitë ajrore ky është një lajm i keq që tregon nevojën e qeverive për të vijuar masat lehtësuese”, tha De Juniac.

Ai u bëri thirrje qeverive të marrin masa për të rritur besimin te fluturimet ajrore, ndër të cilat “teste të kujdesshme, të shpejta dhe të përballueshme”, si dhe masa për gjurmimin e kontakteve.

Vende të ndryshme në Bashkimin Evropian u kanë dhënë ndihmë kompanive ndërkombëtare.

Air France, për shembull, ka marrë nga shteti një ndihmë prej 7 miliardë eurosh edhe pse në fillim të korrikut njoftoi se gjithsesi do të shkurtonte 7,500 vende pune për të përballur pasojat ekonomike të krizës.

Kompania holandeze KLM do të marrë 3.4 miliardë euro fonde nga arkat e shtetit.

Ndërsa, Gjermania ka miratuar një plan shpëtimi prej 9 miliardë eurosh për Lufthansa.