Gazeta Ekonomia

kupto ekonominë

Trump i bën thirrje Shqipërisë të largohet nga nisma ekonomike kineze 17+1

Presidenti i Shteteve të Bashkuara, Donald Trump i ka bërë thirrje Shqipërisë të lërë formatin 17+1 të Kinës, ndërsa ka thënë se është i kënaqur nga roli i fortë i Shqipërisë në Nismën e Tre Deteve.

Kërkesa e Trumpit ndaj Shqipërisë është bërë në një letër të cilën ia ka dërguar kryeministrit të Shqipërisë, Edi Rama.

Letra u publikua nga ana e kryeministrit Rama, në profilin e tij në rrjetin social Facebook.

Formati kinez 17+1 është nisma e qeverisë kineze për të promovuar marrëdhëniet e biznesit dhe investimeve midis Kinës dhe vendeve të ish-bllokut komunist të Evropës Qendrore dhe Lindore.

Në këtë nismë bëjnë pjesë edhe Serbia, Bosnje dhe Hercegovina, Maqedonia e Veriut, Mali i Zi, Kroacia, Sllovenia, Bullgaria, Republika e Çekisë, Estonia, Greqia, Hungaria, Letonia, Lituania, Polonia, Rumania dhe Sllovakia.

Ndërsa, Nisma e Tre Deteve, është një platformë politike që ka për qëllim të nxisë lidhjet mes vendeve në Evropën Qendrore dhe Lindore, duke mbështetur projektet e infrastrukturës, energjisë dhe ato dixhitale.

“Në emër të Shteteve të Bashkuara të Amerikës, unë dua t’ju falënderoj juve për lidershipin e Shqipërisë në rajonin e Ballkanit dhe nëpër Europë, për ekspozimin e ndikimit malinj të Kinës, abuzimet me të drejtat e njeriut dhe praktikat grabitqare të huazimit. Mbështetja juaj e hapur për rrjetet e sigurta të telekomunikacionit po jep një shembull të fortë dhe shpresoj që Shtetet e Bashkuara dhe Shqipëria të mund të nënshkruajnë së shpejti një Memorandum Mirëkuptimi mbi sigurinë 5G, i cili hap rrugën që edhe vendet e tjera në Ballkan të bëjnë të njëjtën gjë”, thuhet në letrën e Trumpit.

Shqipëria është i vetmi vend në Ballkanin Perëndimor, që i është bashkuar iniciativës së administratës amerikane “Rrjeti i Pastër” që synon mbrojtjen e rrjeteve 5G nga furnizues dhe operatorë jo të besueshëm të telekomunikacionit.

SHBA-ja është duke komunikuar me shumë vende në botë, për të kundërshtuar bashkëpunimin e tyre me kompaninë kineze Huawei dhe rrjetin e saj 5G.

Uashingtoni e ka vendosur këtë kompani në “listën e zezë” pasi vlerëson se ajo paraqet rrezik për sigurinë kombëtare dhe e përdorë teknologjinë e saj për të spiunuar në emër të qeverisë kineze.

Në letrën e tij, presidenti Trump, gjithashtu i ka bërë thirrje Shqipërisë të zhvendosë ambasadën e saj në Izrael, nga Tel Avivi në Jerusalem.

“Ju inkurajoj që t’u bashkoheni Shteteve të Bashkuara dhe të tjera kombeve evropiane në zhvendosjen e ambasadës suaj në Jerusalem”, thuhet në letrën të cilën presidenti Trump i ka dërguar kryeministrit të Shqipërisë, Edi Rama.

Kërkesa e presidentit amerikan ndaj Shqipërisë vjen disa javë pasi me marrëveshjen e nënshkruar në Washington më 4 shtator, në praninë e presidentit Trump, Kosova është zotuar se do të vendosë marrëdhënie diplomatike me Izraelin dhe se do ta hapë misionin e saj diplomatik në Jerusalem, ndërsa Serbia është zotuar se do ta zhvendosë ambasadën e saj ekzistuese në Izrael nga Tel Avivi në Jerusalem.

Presidenti amerikan e ka falënderuar Ramën për “mbështetjen në normalizimin ekonomik midis Serbisë dhe Kosovës dhe për mbështetjen e fuqishme të Marrëveshjeve të Abrahamit, si hapi më domethënës drejt paqes në Lindjen e Mesme për këtë gjeneratë”. /REL/