Gazeta Ekonomia

kupto ekonominë

Trump nënshkruan urdhërin për ndihma për ata që kanë humbur punën gjatë pandemisë COVID-19

Presidenti i Shteteve të Bashkuara, Donald Trump ndërmori hapa për të shtyrë pagimin e taksave për miliona amerikanë dhe për të zgjatur në kohë programin tashmë të skaduar të përfitimeve për papunësinë, pas dështimit të negociatave me Kongresin.

Në klubin e tij privat të golfit në Bedminster, Trump nënshkroi një urdhër ekzekutiv dhe tre memorandume që synojnë të ndihmojnë miliona amerikanë të cilët kanë humbur punën për shkak të pandemisë COVID-19.

Urdhri i ri ekzekutiv parashikon pagesa deri në 400 dollarë në javë, nga 600 që ishte më parë.

Kongresi lejoi që programi i pagesave prej 600 dollarësh në javë të skadonte më 1 gusht dhe negociatat për zgjatjen e këtij afati kanë përfunduar në polemika partiake mes Shtëpisë së Bardhë dhe demokratëve.

Gati dy javë bisedime midis zyrtarëve të Shtëpisë së Bardhë dhe demokratëve të Kongresit përfunduan të premten pa marrëveshje. Palët janë ende larg njëra-tjetrës lidhur me hapat e ardhshëm për të trajtuar pandeminë që ka marrë shumë jetë njerëzish dhe i ka kushtuar rëndë ekonomisë amerikane.

Deri tani, më shumë se 160 mijë amerikanë kanë humbur jetën nga virusi dhe dhjetëra milionë kanë mbetur pa punë.

Kryetarja e Dhomës së Përfaqësuesve, Nancy Pelosi dhe udhëheqësi i pakicës në Senat, Chuck Schumer kanë ofruar të ulin paketën e propozuar të ndihmës prej 3.4 trilionë dollarësh, të cilën Dhoma e Përfaqësuesve e miratoi në muajin maj, por që Senati nuk e përfilli.

Demokratët kërkojnë si shkëmbim që republikanët të pajtohen për ta dyfishuar shumën prej një trilion dollarësh të propozuar prej tyre.

Negociatorët e Shtëpisë së Bardhë, Sekretari i Thesarit, Steven Mnuchin dhe Shefi i Stafit, Mark Meadows e kundërshtuan ofertën e demokratëve.

Sipas njoftimeve, ligjvënësit nuk kanë planifikuar takime të mëtejshme.

Për miliona amerikanë kompensimi javor prej 600 dollarësh për papunësinë që kishin marrë që nga fillimi i pandemisë në mars, u ndërpre.

Agjencitë e shërbimeve sociale kanë paralajmëruar se mungesa e pagesave të papunësisë mund të shkaktojë pasiguri ushqimore dhe përzënien nga shtëpitë për miliona amerikanë. /Zëri i Amerikës/