Gazeta Ekonomia

kupto ekonominë

Trusti bën të ditur mënyrën e aplikimit për tërheqjen e 10-përqindëshit të kursimeve

Fondi i Kursimeve Pensionale i Kosovës ka bërë të ditur mënyrën e aplikimit për tërheqje të 10-përqindëshit të kursimeve, pas miratimit të Ligjit për Rimëkëmbje Ekonomike nga pandemia COVID-19.

Përmes një njoftimi në Facebook, ky institucion ka thënë se procesi i aplikimit për tërheqje të këtyre mjeteve do të bëhet pas publikimit të Ligjit në Gazetën Zyrtare të Kosovës.

Të gjithë kontribuuesit do të mund të aplikojnë vetëm përmes internetit, nga një uebfaqe e veçantë si dhe aplikimi mund të bëhet vetëm me llogari aktive personale dhe jo të ndonjë familjari tjetër.

Aplikimi po ashtu është thënë se nuk mund të bëhet me llogari bankare jashtë shtetit apo me llogari bankare të biznesit.

Ndryshe, deputetët e Kuvendit të Kosovës me 72 vota për, asnjë kundër dhe asnjë abstenim, kanë votuar sot në lexim të dytë këtë Ligj.

Të mërkurën, Komisioni për Buxhet dhe Transfere kishte votuar raportin me katër amdamentet e propozuara nga Partia Demokratike e Kosovës.

Njëra nga këto amandamente është rimbursimi nga Qeveria e Kosovës së 10-përqindëshit të mjeteve të tërhequra nga Fondi Pensional, për të gjithë ata që kanë më pak se 10 mijë euro.

Ky Projektligj kishte dështuar të votohej për të nëntën herë, që nga muaji gusht, kur ishte prezantuar për herë të parë në Kuvend.

Ndryshe, më 12 tetor, pas gjashtë dështimeve, Kuvendi i Kosovës me 64 vota për, asnjë kundër dhe asnjë abstenim, kishte votuar në lexim të parë këtë Projektligj.

Pas votimit në lexim të dytë, kryetarja e Kuvendit e nënshkruan dhe e dërgon tek presidenti për shpallje. Ndërkaq, presidenti ka afat tetë ditë për ta shpallur ose për ta kthyer atë për rishqyrtim në Kuvend.

Ky ligj do të mbetet në fuqi deri më 31.12.2021, përjashtimisht disa dispozitave që do të jenë të vlefshme deri në vitin 2028. Pas kësaj date, të gjitha dispozitat e këtij Ligji do të shfuqizohen në mënyrë automatike.

Me anë të këtij Projektligji parashihet zbatimi i Pakos së Rimëkëmbjes Ekonomike në vlerë prej 365 milionë euro.