Gazeta Ekonomia

kupto ekonominë

Twitter shpreh interes për blerjen e TikTok

Rrjeti social Twitter i ka shprehur interesin kompanisë kineze ByteDance për të blerë operacionet në Shtetet e Bashkuara të Amerikës të aplikacionit TikTok, bëjnë të ditur për agjencinë Reuters, dy burime që kanë dijeni mbi këtë çështje. Por, ekspertët kanë hedhur dyshime mbi aftësinë e Twitterit për siguruar financim për një marrëveshje të mundshme.

Burimet thanë se ka pak mundësi që Twitter të jetë në gjendje ta mundë kompaninë Microsoft duke mbyllur një marrëveshje brenda 45 ditësh, afat që presidenti Donald Trump i ka dhënë kompanisë ByteDance që të shesë TikTok.

Lajmi se Twitter dhe TikTok janë përfshirë në bisedime paraprake dhe se Microsoft ende shihet si kryesues për blerjen e aplikacionit, u raportua më herët nga The Wall Street Journal.

Sipas burimeve Twitter, do t’i duhet të mbledhë kapital shtesë për të financuar marrëveshjen. Kompania Twitter ka një vlerë në treg prej rreth 30 miliardë dollarësh, pothuajse aq sa vlera që kërkon TikTok të shesë.

Twitter do ta ketë të vështirë të mbledhë fonde të mjaftueshme për të siguruar blerjen e operacionet amerikane të TikTokut.

“Twitter nuk ka aftësi të mjaftueshme huamarrjeje. Nëse ai përpiqet të bashkojë një grup investitorësh, kushtet do të jenë të forta. Aksionerët e tij mund të preferojnë që përqendrimi i menaxhimit të jetë tek biznesi ekzistue”, thotë Erik Gordon, profesor në Universitetin e Miçiganit.

Një nga aksionarët e Twitterit, firma private e kapitalit Silver Lake, është e interesuar të ndihmojë në financimin e një marrëveshjeje të mundshme, shton një nga burimet.

Sipas informacioneve, Twitter ka bërë të ditur se oferta e tij do të përballej me një kontroll më të vogël rregullator sesa në rastin e Microsoftit dhe se nuk do të ketë ndonjë presion nga Kina duke pasur parasysh se nuk është aktiv në atë vend.

ByteDance dhe Twitter nuk pranuan të komentojnë.

Ligjvënësit amerikanë kanë ngritur shqetësime ndaj aplikacionit TikTok lidhur me sigurinë kombëtare.

Në fillim të kësaj jave, Trump njoftoi vendimin për të bllokuar përdorimin e aplikacioneve me pronar me bazë në Kinë, WeChat dhe TikTok, duke përshkallëzuar tensionet mes dy vendeve. Urdhrat ekzekutivë hyjnë në fuqi brenda 45 ditëve.

Trump tha se do të mbështesë përpjekjet e Microsoftit për të blerë operacionet në SHBA të TikTokut nëse qeveria amerikane do të merrte një “pjesë të konsiderueshme” të të ardhurave.

Ai tha gjithashtu se do ta ndalojë aplikacionin popullor në 15 shtator.

Microsoft bëri të ditur se synon që përfundojë negociatat për një marrëveshje deri në mesin e shtatorit. /Zëri i Amerikës/