Gazeta Ekonomia

kupto ekonominë

UNDP: Të ardhurat për të varfrit mund ta frenojnë pandeminë COVID-19

Kombet e Bashkuara sugjeruan se të ardhurat e përkohshme për njerëzit më të varfër në vendet në zhvillim, mund të ndihmojnë në frenimin e përhapjes së COVID-19.

Një raport i Programit për Zhvillim të OKB-së (UNDP), thotë se fondet do t’iu mundësonin 2.7 miliardë njerëzve në 132 vende në zhvillim të qëndronin në shtëpi.

“Kohërat e papara kërkojnë masa të pashembullta sociale dhe ekonomike. Të ardhurat e përkohshme bazike për njerëzit më të varfër në botë janë shfaqur si opsion. Pakot e shpëtimit dhe planet e rimëkëmbjes nuk mund të përqendrohen vetëm në tregjet e mëdha dhe bizneset e mëdha”, tha administratori i UNDP-së, Achim Steiner.

Sipas UNDP-së, të ardhurat bazike mund të ndahen duke i ridrejtuar burimet ekzistuese.

Kombet e Bashkuara kanë paralajmëruar më herët se pandemia COVID-19 dhe për pasojë, recesioni botëror mund të shkaktojnë rritje të varfërisë në të gjithë botën, për herë të parë që nga viti 1990 dhe t’i çojnë 265 milionë njerëz në prag të urisë.

Numri i të prekurve me COVID-19 ka kaluar tashmë 15 milionë, ndërsa numri i viktimave është mbi 600 mijë.

Shtetet e Bashkuara prijnë edhe me numër të të infektuarve edhe të viktimave me mbi 3.9 milionë, përkatësisht mbi 143 mijë. /Radio Evropa e Lirë/