Gazeta Ekonomia

kupto ekonominë

Varfëria, papunësia dhe korrupsioni – problemet themelore me të cilat po përballet Kosova

Papunësia, korrupsioni dhe varfëria janë tre problemet themelore me të cilat përballet aktualisht Kosova, kështu thuhet në anketën “Pulsi Publik XVIII“, të realizuar nga Programi për Zhvillim i Kombeve të Bashkuara (UNDP).

Raporti i UNDP-së, thekson se një përqindje e madhe e të anketuarve vazhdojnë të identifikojnë këto si probleme kryesore.

“Një përqindje e madhe e të anketuarve vazhdojnë të identifikojnë papunësinë, korrupsionin dhe varfërinë si tre problemet themelore me të cilat përballet aktualisht Kosova. Problemi më i madh për 37.2 për qind të të anketuarve është papunësia, e ndjekur nga korrupsioni me 23.5 për qind dhe varfëria me 15.3 për qind”, thuhet në raport.

Po ashtu, gjetjet e këtij raporti thonë se krimi i organizuar dhe ekonomia informale janë ndër problemet tjera.

“Gjetjet e tjera tregojnë se 2.4 për qind e të anketuarve konsiderojnë se çmimet e artikujve të domosdoshëm janë problem themelor, 2.1 për qind konsiderojnë krimin e organizuar, dhe 1.8 për qind e të anketuarve konsiderojnë se probleme themelore janë ekonomia informale dhe problemet sociale. Gjithsej 1.4 për qind e të anketuarve konsiderojnë se kujdesi shëndetësor është çështja më e ngutshme në Kosovë”, vijon raporti.

Perceptimet për problemet themelore me të cilat përballet Kosova aktualisht | Burimi: UNDP

Të dhënat e zbërthyera sipas përkatësisë etnike tregojnë se ka dallime për sa i përket renditjes së problemeve.

“Shqiptarët e Kosovës dhe pjesëtarët e komuniteteve të tjera të Kosovës kanë renditur papunësinë, korrupsionin dhe varfërinë si tre problemet themelore me të cilat përballet Kosova aktualisht. Për dallim, serbët e Kosovës konsiderojnë se papunësia me 38.5 për qind, pasuar nga krimi i organizuar me 13.5 për qind dhe marrëdhëniet ndëretnike me 11.5 për qind janë çështjet më të mëdha në Kosovë”, përfundon raporti, shkruan Telegrafi.

Po ashtu, emërimet politike në Kosovë dhe fenomeni i nepotizmit, vazhdojnë t’i ngufasin institucionet dhe në përgjithësi shoqërinë, thuhet në raportet e organizatave ndërkombëtare dhe atyre vendore.

Sipas raportit të organizatës, Transparency International për vitin 2019, ku prezantohet Indeksi i Perceptimit të Korrupsionit, Kosova ka shënuar regres sa i takon luftës kundër korrupsionit.