Gazeta Ekonomia

kupto ekonominë

Vendet e Ballkanit e Perëndimor nga muaji korrik pa tarifa për thirrjet roaming

Nga data 1 korrik 2021, qytetarët e Kosovës, gjatë qëndrimit në njërin nga vendet e Ballkanit Perëndimor, nuk do të paguajnë asnjë shtesë për shërbimet e rregulluara të roamingut në kuadër të telekomunikimit, siç janë thirrjet e realizuara ose të pranuara dhe mesazhet.

Kjo do të ndodhë në bazë të një marrëveshjeje për roaming mes Shqipërisë, Bosnjës e Hercegovinës, Maqedonisë së Veriut, Malit të Zi, Kosovës dhe Serbisë. Faza e parë e zbatimit të marrëveshjes ka filluar në vitin 2019, ku ka pasur një ulje të çmimeve deri në 80 për qind, kurse faza e dytë, apo eliminimi i tërësishëm i tarifave, është paralajmëruar se do të zbatohet me 1 korrik 2021.

Tarifa e roamingut nënkupton telekomunikimin dhe shërbimin që qytetarët e përdorin në një shtet tjetër, nga një qendër e operatorit të telefonisë mobile.

Zyrtarë të Autoritetit Rregullativ të Komunikimeve Elektronike dhe Postare të Kosovës (ARKEP) kanë thënë për Radion Evropa e Lirë se, “nuk ka shtyrje të afateve të parapara për zbatimin e marrëveshjes së roamingut”, kështu që ajo pritet të fillojë të zbatohet në afatin e caktuar.

“Më 14 shkurt 2021 ka përfunduar konsultimi publik i draft-rregullores për zbatimin e politikës së drejtë dhe për metodologjinë e vlerësimit të qëndrueshmërisë së heqjes së tarifave të roamingut me pakicë për marrëveshjen e roamingut në mes shteteve të Ballkanit Perëndimor. Kjo rregullore pritet të miratohet së shpejti, me çka do të përmbyllet legjislacioni i nevojshëm për fillimin e zbatimit të fazës së dytë, respektivisht heqjen e tarifave të roamingut nga data 1 Korrik 2021”, thuhet në përgjigjen e këtij institucioni.

Heqjen e tarifave të telekomunikimit për vendet e Ballkanit Perëndimor e ka kërkuar Bashkimi Evropian, si formë lehtësimi për komunikimet ndërmjet qytetarëve.

Në muajin prill të 2018 në Samitin e parë Digjital të mbajtur në Shkup, ishte paralajmëruar ulja e çmimeve të roamingut mes vendeve të Ballkanit.

Zbatimi i kërkesës është ndarë më pas në dy faza, faza e parë në vitin 2019 dhe faza e dytë më 2021.

Sekretarja e përgjithshme e Këshillit për Bashkëpunim Rajonal (RCC), Majlinda Bregu ka thënë se, “nga 1 korriku 2021 tarifa roaming në Ballkan do të jetë zero”.

RCC merret me bashkëpunimin mes vendeve të Evropës Lindore, që synojnë të anëtarësohen në Bashkimin Evropian.

Për zbatimin e kësaj marrëveshjeje, zyrtarë të ARKEP-it, thonë se janë në komunikim të vazhdueshëm me operatorët, përmes dhënies së udhëzimeve përkatëse për zbatimin e tarifave.

Edhe zyrtarë të Telekomit të Kosovës, kanë thënë për Radion Evropa e Lirë se, pas fillimit të zbatimit të fazës së parë, “në vazhdimësi janë mbajtur takime me rregullatorin dhe komunikime me partnerë të tjerë”.

Ish-ministër i Zhvillimit Ekonomik në Qeverinë e Kosovës, në kohën kur është nënshkruar marrëveshja ka qenë Valdrin Lluka. Ai ka thënë se beson që operatorët e telekomunikacionit janë të gatshëm të fillojnë zbatimin e marrëveshjes në muajin korrik.

Sipas tij, faza e parë e marrëveshjes është zbatuar me sukses.

“Zvogëlimi i tarifave ka ndodhur, gjë që e kam parë edhe vetë në praktikë. Nuk ka më tarifa marramendëse që kanë ndodh edhe më herët, kur një person ka shkuar në një nga vendet e Ballkanit, ku ka bërë thirrje dhe i kanë ardhur tarifa marramendëse në faturë. Kurse nga 1 korriku, ata mund të flasin me të njëjtat tarifa që flasin brenda territorit të tij”, thotë Lluka.

Pikërisht më 1 korrik 2021, kur pritet të eliminohen tarifat për shërbimet e roamingut në vendet e Ballkanit Perëndimor, do nisin bisedimet për të arritur marrëveshje të njëjtë edhe me vendet e Bashkimit Evropian.

“Rreth 80 për qind të trafikut në roaming, shqiptarët kryesisht e kanë me vendet e Evropës, por më 1 korrik nisim bisedimet për të arritur të njëjtën marrëveshje me BE-në. Sa ndikon kjo në xhepin e gjithsecilit?! Vetëm mendoni që sot për të njëjtin shërbim, qytetarët në Ballkan paguajnë katër herë më shumë se një qytetarë në BE”, ka shkruar Bregu në Facebook.

Lluka thotë se heqja e çmimeve të shërbimeve roaming me vendet e Bashkimit Evropian ka qenë kërkesë e shteteve të Ballkanit Perëndimor dhe në këtë drejtim kërkohet angazhim.

“Ky duhet të jetë hapi i ardhshëm që të fillohet dhe të punohet në këtë aspekt. Fillimisht, primare kanë qenë marrëveshjet me Ballkanin Perëndimor, pikërisht për të lehtësuar bizneset që udhëtojnë dhe punojnë në vendet e rajonit, në mënyrë që të kenë më të lehtë komunikimin” shprehet Lluka.

Aktualisht, çmimet për shërbimet roaming për thirrje të realizuara për një minutë janë 5 cent kurse për një mesazh 2 cent. /REL/