Gazeta Ekonomia

kupto ekonominë

Zvogëlohet numri i vendeve të reja të punës gjatë muajit nëntor në Shtetet e Bashkuara

Numri i vendeve të reja të punës në Shtetet e Bashkuara të Amerikës gjatë muajit nëntor, është përcjellë me ritmin më të ngadalshëm nga muaji prill, ndërkohë që rritet numri i personave të infektuar me COVID-19, duke shtuar kështu shqetësime për shpejtësinë e rimëkëmbjes nga pandemia.

Shtetet e Bashkuara kanë shtuar 245 mijë vende të reja të punës muajin e kaluar, më pak sesa është parashikuar nga ekonomistët, njëherësh ulja e pestë mujore.

Departamenti amerikan i Punës ka rishikuar edhe një herë numrin e personave të punësuar në muajin tetor, duke e ulur atë në 610 mijë.

Megjithatë, shkalla e papunësisë është thënë të ketë rënë në 6.7 për qind nga 6.9 për qind në muajin tetor.

Por, aty nuk janë përfshirë individët që kanë hequr dorë nga kërkimi i një vendi të punës.

Shtetet e Bashkuara janë përballur me një rritje të ashpër të numrit të të infektuarve me COVID-19 prej muajit shtator, duke detyruar bizneset që të zvogëlojnë numrin e vendeve të punës.

Po ashtu, është raportuar për më shumë se 216 mijë persona të infektuar më 3 dhjetor, teksa numri i të vdekurve ka tejkaluar shifrën 2,800, një tjetër rekord ditor.

Rritja e infektimeve pritet të ndikojë në atë që veçse po konsiderohet sezonë e dobët e blerjeve dhe udhëtimeve, çka potencialisht mund të kufizojë edhe më shumë vendet e punës në muajin dhjetor.

Pavarësisht këtyre shifrave për vende të punës dhe rritjes së numrit të rasteve me koronavirus, tregjet amerikane të aksioneve janë rritur, ndërkohë që ka shpresa se qeveria do të miratojë më shumë masa për të ndihmuar ekonominë. /REL/